Një nga figurat e rëndësishme të stafit teknik të FC Shkupit, Minas Osmani, ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me klubin nga Çairi. Përmes një deklarate publike, Osmani ka konfirmuar dorëheqjen e tij, duke i dhënë fund një periudhe pesëvjeçare angazhimi në ekipin e parë.
Si arsye kryesore për këtë vendim, Osmani ka cituar kushtet e vështira të punës dhe, mbi të gjitha, mosrealizimin e obligimeve financiare ndaj tij për një vit rresht.
“Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë sakrifice dhe pune profesionale në kushte aspak të lehta. Për një vit të tërë, ndaj meje nuk janë shlyer obligimet financiare, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e këtij hapi,” u shpreh ai në njoftimin e tij.
Pavarësisht problemeve jashtë fushës, Osmani nënvizoi se ka përfaqësuar ngjyrat e klubit me ndershmëri, duke dhënë maksimumin për lojtarët dhe tifozët. Ai nuk harroi të falënderonte të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi gjysmë-dekador.
“Falënderoj bashkëpunëtorët, lojtarët dhe në veçanti tifozët ‘Shvercerat’ për mbështetjen e pakursyer. FC Shkupit i uroj suksese në të ardhmen,” përfundoi Osmani.
Ky largim vjen në një moment delikat për klubin, duke nxjerrë në pah sfidat e brendshme me të cilat po ballafaqohet FC Shkupi në fund të këtij viti kalendarik.


