Tetova mbështet gratë dhe fëmijët në nevojë – Memorandum për financimin e Shelter-Qendrës “ETIKA”

Tetovë, 26 Shkurt 2025 – Komuna e Tetovës hodhi një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, duke nënshkruar për herë të parë një Memorandum Bashkëpunimi për mbështetje financiare të Shelter-Qendrës “ETIKA” në Gostivar. Kjo qendër, e vetmja e licencuar në Rajonin e Pollogut, ofron strehim dhe ndihmë për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën në familje.
Përmes këtij bashkëpunimi, gratë dhe fëmijët nga Tetova do të kenë qasje në shërbime të specializuara dhe strehim të sigurt, duke dërguar një mesazh të qartë se dhuna në familje nuk do të tolerohet. Kryetarja e Komunës së Tetovës theksoi përkushtimin për të mbështetur çdo qendër, OJQ dhe individ që punon për shërbime sociale në komunitet.
“Kjo marrëveshje është dëshmi e angazhimit tonë për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Kur bashkojmë forcat, mund të bëjmë ndryshime të mëdha për ata që kanë më shumë nevojë,” u shpreh kryetarja e komunës.
Ky hap i rëndësishëm është një tjetër tregues se Tetova po ndryshon për mirë, duke vendosur prioritet mbrojtjen e familjes dhe të drejtave themelore të njeriut.