Vuçiç: Ushtria e Kosovës më e fortë se ajo e Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se sipas disa indekseve ndërkombëtare të publikuara nga Shtetet e Bashkuara, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) vlerësohen më të forta se ushtritë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Lajmin e transmeton portali KOHANEWS.

 

Vuçiç, i cili ditëve të fundit ka shprehur shqetësim për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, tha se kjo nuk është mendimi i tij personal, por një vlerësim i bazuar në analiza ndërkombëtare.

Duke folur për aleancën Kroaci–Kosovë–Shqipëri, ai e cilësoi atë si “kërcënimin më të madh” për Serbinë, duke pretenduar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është ushtrimi i presionit ndaj Beogradit.

Vuçiç aktualisht ndodhet në Indi, ku merr pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale. Atje ai ka zhvilluar takime me kryeministrin indian Narendra Modi, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

Kujtojmë se Kroacia më 18 mars të vitit të kaluar nënshkroi një deklaratë për bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që shkaktoi reagime të ashpra në Beograd, ku autoritetet e cilësuan si provokim dhe rrezik për stabilitetin rajonal.

Vuçiç shtoi se sipas tij, ky aleancë është krijuar për të qenë e gatshme në rast të një konflikti të mundshëm mes Evropës dhe Federatës Ruse, duke pretenduar se Serbia mund të përballet me një “invazion nga disa drejtime”.

Megjithatë, pas takimit me kryeministrin kroat Plenkoviç, Vuçiç tha se ka marrë garanci se ky bashkëpunim nuk është i drejtuar kundër Serbisë, edhe pse ai vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim kritik ndaj aleancës.


/KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT