Vuçiçi nuk është rehat: “Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po përgatiten për sulm ndaj Serbisë”

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar akuza të forta gjatë një paraqitjeje live në Radio Televizionin e Serbisë (RTS), ku u shfaq dukshëm i shqetësuar për atë që ai e cilëson si një “aleancë ushtarake” mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Sipas tij, këto tri vende po presin një moment kaosi global për të mësyrë drejt Serbisë.
“Po përgatitemi për sulmin e tyre”
Vuçiç deklaroi se Beogradi është në dijeni të planeve që, sipas tij, synojnë destabilizimin e vendit.
“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata presin momentin kur në të ardhmen mund të shpërthejë një konflikt më i madh mes evropianëve dhe rusëve, si dhe një përshkallëzim në Lindjen e Mesme,” u shpreh ai, duke shtuar se synimi i kësaj “aleance” është të përfitojë nga një situatë e mundshme lufte në shkallë të gjerë.
Megjithatë, ai u mundua të qetësonte opinionin publik serb, duke thënë se ushtria është gati. “Qytetarët mund të flenë të qetë. Ata nuk do të na sulmojnë sepse e dinë se çfarë përgjigjeje do të merrnin,” porositi Vuçiç.
Kërcënimi me raketat kineze
Gjatë intervistës, Vuçiç u mburr me fuqinë e re zjarri të Serbisë, duke zbuluar detaje mbi raketat ajër-tokë të blera nga Kina. Ai theksoi se bëhet fjalë për teknologji me peshë deri në 950 kg dhe rreze deri në 400 kilometra, të cilat sipas tij kanë rezultuar shkatërruese në konflikte të tjera, si ai mes Pakistanit dhe Indisë.
“Me këtë mjet kinez janë shkatërruar radarë francezë dhe sistemi S-400. Ne kemi shumë gjëra që publiku ende nuk i ka parë,” deklaroi ai, duke iu kundëpërgjigjur kështu edhe shqetësimeve të kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, i cili paralajmëroi informimin e NATO-s për armatimin supersonik të Serbisë.
Paqja si “trashëgimi”
Pavarësisht retorikës luftarake dhe listimit të armatimit të rëndë, Vuçiç insistoi se qëllimi i tij mbetet stabiliteti.
“Dua që trashëgimia ime të jetë paqja dhe jo luftërat. Por kur para nesh shfaqet një aleancë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe të ashtuquajturës Kosovë, detyra ime është të ruaj vendin,” përfundoi ai.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT