Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia po përgatitet të vazhdojë luftën në Ukrainë edhe gjatë vitit 2026, pas deklaratave të fundit të presidentit rus Vladimir Putin se objektivat ushtarake të Moskës do të arrihen “pa dyshim”.
“Në fjalimin e sotëm dëgjuam një sinjal të ri nga Moska se ata po përgatiten që vitin e ardhshëm ta bëjnë një vit të ri lufte”, tha Zelensky në adresën e tij të përditshme mbrëmëse.
Ai theksoi se është e rëndësishme që partnerët ndërkombëtarë, sidomos Shtetet e Bashkuara – të cilët shpesh pretendojnë se Rusia dëshiron paqe – ta kuptojnë këtë sinjal dhe të reagojnë në mënyrë adekuate.
Sipas Zelenskyt, autoritetet ruse po përpiqen të minojnë procesin diplomatik duke fshehur synimet e vërteta: shkatërrimin e Ukrainës, vrasjen e ukrainasve dhe legjitimimin e aneksimit të territoreve të saj.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin, në një mbledhje të zgjeruar të Ministrisë së Mbrojtjes, deklaroi se “objektivat e operacionit special ushtarak do të arrihen patjetër”, duke përfshirë ato territoriale. Ai shtoi se Rusia preferon rrugën diplomatike, por nëse palët kundërshtare refuzojnë bisedime substantive, do të vazhdojë të çlirojë “tokët historike” me forcë ushtarake.


