TETOVË – Ka nisur sot faza e re e punimeve në nyjen lidhëse që bashkon rrugën e re Tetovë-Neproshten me aksin ekzistues rajonal Tetovë-Jazhincë. Ky projekt infrastrukturor, i cili synon të lidhë fshatin Trebosh me Neproshtenin dhe të mundësojë qasje direkte në autostradën Tetovë-Shkup, mbetet ende larg finalizimit.
Ndonëse punimet kanë rinisur në terren, projekti po përballet me kritika për vonesa të shumta. Në shkurt të vitit 2024, gjatë promovimit të projektit, autoritetet e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore patën premtuar se qarkorja do të ishte gati brenda 15 muajve, duke vendosur majin e vitit 2025 si afat për lëshimin në përdorim.
Sot, në shkurt të vitit 2026, punimet vazhdojnë ende, duke tejkaluar ndjeshëm parashikimet fillestare dhe duke lënë të hapur pyetjen se kur do të jetë plotësisht i aksesueshëm ky aks i rëndësishëm për qarkullimin e banorëve dhe bizneseve të zonës.


