NEUM – Në kulmin e sezonit turistik, Neumi, i vetmi qytet bregdetar i Bosnjë-Hercegovinës, vazhdon të jetë një nga destinacionet më të kërkuara për turistët nga rajoni. Përballë shtrenjtimit të përgjithshëm në Adriatik, Neumi mbetet një oaz i përballueshëm, duke tërhequr vëmendjen me çmimet e tij konkurruese.
Akomodimi: Nga 50 deri në 150 euro nata
Sipas ofertave aktuale në platformat e rezervimeve, kostoja e pushimeve ndryshon bazuar në pozicionin dhe luksin e akomodimit:
-
Çifte: Akomodimi për dy persona gjatë sezonit të lartë varion zakonisht mes 50 dhe 70 euro për natë.
-
Familjarë: Për familjet që kërkojnë hapësirë për 3-4 persona, çmimet sillen nga 70 deri në 120 euro për natë.
-
Opsione “Budget” vs. Premium: Nëse kërkoni kosto të ulëta, mund të gjeni apartamente edhe për 35-45 euro nata, ndërsa apartamentet luksoze në vijën e parë të detit ose me pamje panoramike mund të arrijnë në 150 euro ose më shumë për natë.
Gastronomia: Çmime të qëndrueshme
Të ardhurit në Neum do të gjejnë një ofertë të larmishme dhe relativisht të lirë për standardet e bregdetit:
-
Kafeja: 1 deri në 2.5 euro.
-
Pica: 6 deri në 10 euro.
-
Qebapët: Një porcion kushton nga 5 deri në 8 euro.
-
Specialitetet e detit: Për një vakt me peshk apo prodhime deti, çmimet variojnë nga 10 deri në 25 euro, varësisht nga restoranti.
-
Darka për dy persona: Me pije të përfshira, një darkë në një restorant mesatar kushton rreth 20 deri në 40 euro.

Buxheti total për një javë
Llogaritjet e fundit tregojnë se për një çift, kostoja ditore (akomodim, ushqim dhe pije) në kulmin e sezonit lëviz nga 80 deri në 145 euro. Kjo do të thotë se për një pushim 7-ditor, një çift duhet të planifikojë një buxhet prej përafërsisht 580 deri në 1.000 euro.
Këshillë për udhëtarët me makinë
Për ata që udhëtojnë me automjetin e tyre, parkimi është një kosto shtesë prej 5 deri në 7 euro në ditë. Megjithatë, një numër i madh hotelesh dhe apartamentesh ofrojnë parkim falas për mysafirët, çka përbën një kursim të rëndësishëm për pushimet disaditore. Gjithashtu, për ata që zgjedhin të gatuajnë vetë, çmimet në markete janë të ngjashme me ato në pjesën tjetër të Bosnjë-Hercegovinës, duke ofruar mundësi për të mbajtur buxhetin edhe më të ulët.


