Fakti që kësaj radhe objekt i sulmeve verbale ishte një grua e bën ngjarjen edhe më shqetësuese. Asnjë grua nuk duhet të përballet me gjuhë denigruese apo poshtëruese për shkak të angazhimit të saj politik. Respekti për dinjitetin e grave nuk duhet të varet nga bindjet politike, por të jetë një parim i panegociueshëm.
Demokracia nuk ndërtohet me ofendime dhe kërcënime, por me kulturë dialogu dhe respekt të ndërsjellë. Kur fjalori fyes zë vendin e argumenteve, dëmtohet seriozisht klima politike dhe dërgohet një mesazh i gabuar për çdo grua që dëshiron të kontribuojë në jetën publike.
Retorika dhe sjellja e Stoilkoviqit krijojnë përshtypjen e një politikani që vepron me bindjen se nuk do të përballet me pasoja. Pikërisht kjo ndjenjë paprekshmërie është ajo që ushqen arrogancën dhe e bën të përsërisë të njëjtën sjellje.
Institucionet dhe Qeveria kanë detyrimin të reagojnë qartë dhe pa asnjë hezitim ndaj çdo forme të fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes. Heshtja ose relativizimi i rasteve të tilla nuk ndihmojnë në mbrojtjen e demokracisë, por krijojnë përshtypjen se sjellje të tilla tolerohen.Qëndrimi ndaj çdo sulmi verbal apo poshtërimi të grave duhet të jetë i njëjtë, pavarësisht se kujt force politike i përkasin ato apo autori i sulmit. Respekti, barazia dhe dinjiteti nuk janë çështje partiake, por vlera themelore që duhet të mbrohen gjithmonë.


