UASHINGTON – Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë shtetasit amerikanë që ndodhen në Iran, duke u kërkuar atë largohen menjëherë nga ky vend. Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët amerikanë përballen me një rrezik të lartë për arrestime arbitrare, burgosje të zgjatura, tortura, dhe në raste ekstreme, edhe me dënim me vdekje.
Për shkak të mungesës së marrëdhënieve diplomatike dhe mungesës së një ambasade në Teheran, administrata amerikane ka bërë të ditur se nuk mund të ofrojë ndihmë konsullore, duke udhëzuar qytetarët që të organizojnë vetë largimin e tyre.
Ky paralajmërim vjen në një moment kritik, ndërsa SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë negociata mbi programin bërthamor të Teheranit. Megjithëse takimet po mbahen në Oman, informacionet mbi ecurinë e tyre mbeten kontradiktore. Deri më tani, vetëm Ministria e Jashtme e Omanit ka konfirmuar se ndërmjetësuesit kanë realizuar takime të ndara me delegacionet e të dyja vendeve.


