KUMANOVË – Policia e Kumanovës ka njoftuar arrestimin e katër personave të dyshuar për sulmin fizik ndaj zyrtarit të klubit të futbollit “Bashkimi 1947”, i cili ndodhi gjatë një ndeshjeje futbolli në stadiumin e fshatit Dobroshanë.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë, personat e privuar nga liria janë:
-
L.B. (23), M.R. (22), A.S. (19) dhe K.K. (23), të gjithë banorë të Kumanovës.
Rrethanat e ngjarjes: Incidenti ka ndodhur gjatë ndeshjes ndërmjet klubeve Bashkimi dhe Kumanova. Të dyshuarit kanë sulmuar me mjet të fortë personin me inicialet F.B., i cili mban funksionin e sekretarit (punonjësit) në KF Bashkimi.
Policia ka ndërhyrë menjëherë pas raportimit të sulmit dhe ka prangosur personat e përfshirë. Aktualisht, rasti po dokumentohet plotësisht nga organet e rendit dhe, pas përfundimit të hetimeve, ndaj katër të arrestuarve do të ngrihen kallëzimet penale përkatëse.
Ky incident ka ngritur shqetësime mbi sigurinë në aktivitetet sportive lokale dhe nevojën për masa më të rrepta ndaj dhunës në stadiume.


