Zëvendëskryetari i komunës së Tetovës, Albi Qamili në intervistën për Alsat-M ka thënë se si Lëvizje BESA janë të fokusuar plotësisht në unifikimin dhe bashkimin e koalicionit VLEN në një subjekt politik.
“Liderët kanë takime të shpeshta ku intensivisht diskutohet mënyra më e mirë se si do të funksionojë VLEN në një subjekt politik. Gjithë këto debate do të shoshiten dhe do të gjendet mënyra më e mirë e mundshme që VLEN të jetë një parti politike”, ka thënë Qamili.
Ai shprehet se shumë shpejt do të ketë një epilog.
“Vetë fakti se ne shkarkuam kryesinë është një hap për ta përshpejtuar unifikimin e VLEN dhe brenda muajit të ardhshëm do të ketë një vendim konkret se çfarë do të ndodhë me fatin e VLEN më tej”, ka thënë Qamili.
Ligji për përfaqësimin e drejtë, shumë shpejt në procedurë parlamentare
Sa i takon Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ai tha se është dashur të zgjidhet që në vitin 2003, por BDI zgjodhi ta rregullojë me një zgjidhje gjysmake siç ishte balancuesi e që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2024.
“Tani ne këtë do ta zgjidhim me Ligj dhe shumë shpejt të hyjë në procedurë parlamentare”, tha Qamili nga VLEN.


