SHKUP – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut të martën, më 3 mars. Kjo shënon vizitën e tij të parë në Shkup që prej marrjes së timonit të Aleancës Veri-Atlantike, raporton Kohanews.
Gjatë qëndrimit të tij, Rutte do të ketë një agjendë të ngjeshur takimesh me krerët më të lartë shtetërorë. Ai do të pritet me nderime nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa janë planifikuar takime të ndara edhe me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
Përveç bisedimeve politike mbi sigurinë rajonale dhe kontributin e vendit në Aleancë, Sekretari i Përgjithshëm do të ndjekë nga afër edhe një stërvitje demonstruese të pjesëtarëve të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar kështu gatishmërinë dhe operativitetin e forcave tona të armatosura.
Kjo vizitë shihet si një rikonfirmim i partneritetit të fortë mes Shkupit dhe NATO-s. Herën e fundit që Mark Rutte vizitoi vendin ishte në nëntor të vitit 2021, por në atë kohë në cilësinë e Kryeministrit të Holandës. Ardhja e tij e tanishme si kreu i NATO-s vjen në një moment kritik për sigurinë evropiane, duke i dhënë vizitës një peshë të veçantë gjeopolitike.
/ KOHANEWS


