U tensionua situata në Rrjoll: Përplasje me grushte mes policisë dhe banorëve, “Këtu duhet ardhur me pushkë”

SHKODËR – Situata në zonën e Rrjollit në Velipojë u tensionua rëndë paraditen e sotme, ku një protestë e banorëve kundër ndërtimit të një resorti turistik degjeneroi në përplasje fizike dhe shkëmbim grushtesh me forcat e policisë. Banorët tentuan të bllokonin nisjen e punimeve të projektit “Blue Borgo”, duke pretenduar se toka po u tjetërsohet përmes dokumenteve të falsifikuara, raporton Kohanews.

 

Përplasja që la pas revoltë dhe akuza

Gjatë përballjes së sotme, forcat e policisë ndërhynë për të hapur rrugën për makineritë e kompanisë “Gener 2”, por u ndeshën me rezistencën e fortë të banorëve. Incidenti u shoqërua me dhunë, ku banorët akuzuan uniformat blu se kanë ushtruar forcë të pajustifikuar ndaj tyre.

I moshuari që ishte në vijën e parë të protestës, pas përplasjes, lëshoi një paralajmërim të ashpër që dëshmon dëshpërimin e komunitetit:

“Vijnë na shtyjnë dhe na rrahin, këta duhet me i mbyt të gjithë sepse nuk ka shtet. Por këtu duhet ardhur me pushkë,” tha ai, duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e pronës.

Denoncimi për “Policinë e Gener 2”

Një banore e zonës akuzoi se punonjës të kompanisë private të biznesmenit Bashkim Ulaj janë shfaqur në terren të veshur me uniforma të shtetit për të intimiduar protestuesit. Ajo kërkoi llogari nga Ministria e Brendshme për këtë koordinim mes policisë dhe privatit në dëm të qytetarëve.

Resorti në pronat e kontestuara

Konflikti ka nisur për projektin “Blue Borgo”, një resort me 33 struktura akomodimi deri në 10 kate, i planifikuar të ndërtohet në zonën Baks-Rrjoll. Banorët insistojnë se kompania ka përdorur “pronarë fiktivë” për të marrë lejen si investitor strategjik, ndërkohë që toka është në pronësi të familjeve vendase prej brezash.

Pas tensioneve të sotme, banorët janë shprehur se nuk do të ndalen, duke e konsideruar këtë vetëm fillimin e një qëndrese që mund të përshkallëzohet nëse punimet nuk pezullohen deri në sqarimin e pronësisë.


/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT