A po bëhet VLEN-i një parti nesër zyrtarisht?! Detaje nga modeli me dy bashkëkryetarë

06/03/2026 – Nesër në Prekaz, pranë familjes emblematike Jashari, pritet të ndodhë shtrëngimi historik i duarve që do të shënojë shkrirjen e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik. Ky hap vjen si konkretizim i konceptit të nisur në zgjedhjet e vitit 2024, ku të gjitha grupet përbërëse kanë rënë dakord për një strukturë të re unifikuese. Sipas marrëveshjes së fundit, partia e re pritet të funksionojë me një model specifik me dy bashkëkryetarë, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, ndërsa postet kyçe do të plotësohen me Ilir Demirin dhe Bekim Qokun si nënkryetarë, dhe Bekim Salin si Sekretar të Përgjithshëm.

 

Ky riformulim i VLEN-it si organizatë politike unike do të përfshijë edhe një ndarje të re të strukturave të brendshme, ku secili grupacion aktual do të mbajë një përfaqësim prej 20% në organet vendimmarrëse. Paralelisht me zyrtarizimin në Prekaz, pritet që grupi parlamentar të zgjerohet me aderimin formal të deputetit Ilir Demiri, ndërkohë që krerët e VLEN-it kanë konfirmuar se janë në bisedime edhe me deputetë të tjerë shqiptarë për t’iu bashkuar kësaj force të re politike. Partia do të ketë gjithashtu një program të përditësuar dhe një zëdhënës të ri, duke synuar një profilizim më të qartë si alternativa kryesore qeverisëse në taborin shqiptar.


/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT