Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër Sabahudin Rustemit, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”. Ai akuzohet për tri vepra të rënda penale: “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Përvetësim në detyrë” në tentativë. Sipas Policisë Financiare, Rustemi dyshohet se ka tentuar të përfitojë në mënyrë të paligjshme një shumë totale prej 4,213,169 denarë.
Sipas hetimeve, i akuzuari ka lidhur pesë marrëveshje fiktive me persona fizikë vetëm pak ditë para skadimit të një kontrate ekzistuese për shërbime intelektuale. Dy nga këto marrëveshje, me vlerë prej 1.55 milionë denarësh, kishin të bënin me këshillime mjedisore nga persona pa asnjë ekspertizë në këtë fushë, ndërsa tre marrëveshje të tjera, në vlerë mbi 2 milionë denarë, u lidhën për shërbime kontabiliteti me individë që nuk ishin të certifikuar. Rustemi ishte në dijeni se këto shërbime as nuk ishin kryer dhe as nuk mund të realizoheshin brenda afateve të caktuara, duke shmangur kështu qëllimisht procedurat e prokurimit publik.
Pasi plani i parë dështoi për shkak të zbulimit të hershëm nga policia, i pandehuri dyshohet se tentoi një skemë tjetër përmes një agjencie të re për të drejtat e autorit. Ai lidhi një kontratë të re për të marrë me qira një kamion për mbledhjen e mbeturinave, duke tentuar të paguajë mbi 600 mijë denarë shtesë. Me këto veprime, Rustemi akuzohet se ka shkelur parimet bazë të ekonomizimit dhe transparencës së fondeve publike, duke u përpjekur t’u sigurojë përfitime financiare të paligjshme personave të tretë në dëm të buxhetit të ndërmarrjes.


