Kasami mirëpret kampionët e matematikës: Nxënësit e SHFK “Istikball” shkëlqejnë në garat shtetërore

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në një takim nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Istikball”, të cilët korrën suksese të larta në garat e fundit shtetërore të matematikës dhe logjikës.

 

Tetova vazhdon të dëshmojë se ka potenciale të jashtëzakonshme në mesin e gjeneratave të reja. Nxënësit e shkollës “Istikball” kanë arritur të rrëmbejnë vendet e para dhe të dyta në nivel shtetëror, duke u shpallur si më të mirët në fushat e shkencave ekzakte.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, kryetari Kasami shprehu krenarinë e tij për këto arritje, duke theksuar se ky sukses është fryt i një bashkëpunimi të ngushtë trekëndor: nxënës-mësimdhënës-prindër.

“Ky sukses është rezultat i përkushtimit, punës së palodhshme dhe talentit të nxënësve, si dhe mbështetjes së vazhdueshme nga mësimdhënësit dhe prindërit,” ka deklaruar Kasami.

Kreu i komunës uroi nxënësit për përfaqësimin dinjitoz të qytetit dhe shkollës së tyre, duke u dëshiruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre akademik. Investimi te rinia dhe arsimi mbetet një nga shtyllat kryesore për të siguruar një të ardhme më të mirë për Tetovën.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT