Qyteti që nuk ekziston në “Google Maps”: “Fshehja” sekrete e të pasurve për të cilën dihet pak

Një enklavë shumë e pasur dhe misterioze në Minesota, e njohur si North Oaks, për dekada me radhë kishte arritur të mbetej e fshehur nga “Google Maps”, por kësaj padukshmërie digjitale tani i erdhi fundi. Një influencues me dron ka hartografuar (mapuar) të gjithë zonën dhe i ka publikuar pamjet në internet, duke e bërë këtë lagje ekskluzive plotësisht të dukshme për publikun për herë të parë.

 

Një lagje e fshehur nga publiku

North Oaks konsiderohet si një nga adresat më të pasura në Shtetet e Bashkuara, me dhjetëra prona luksoze vlera e të cilave vlerësohet nga disa qindra mijëra deri në disa miliona dollarë. Për shembull, së fundmi një shtëpi me pesë dhoma gjumi dhe shtatë banjo u hodh në shitje për një çmim prej gati 3.5 milionë dollarësh. Përkundër kësaj, shumë banorë të Minesotës nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë vend.

“Misteri i North Oaks fillon sapo fillon të mësosh rreth tij,” tha për “Daily Mail” autori i videos, krijuesi i përmbajtjes digjitale Chris Parr. “Ekziston perceptimi se në North Oaks jetojnë shumë drejtorë dhe ekzekutivë të kompanive të Minesotës, por pavarësisht këtij reputacioni, shumë banorë nuk dinë asgjë për të.”

Edhe pse teknikisht nuk bëhet fjalë për një komunitet të mbyllur (gated community), të gjitha rrugët brenda lagjes janë në pronësi private. Banorët e kanë rregulluar ligjërisht pronësinë në mënyrë që ajo të përfshijë edhe rrugët, duke e lënë North Oaks praktikisht pa rrugë publike. Hyrjet dhe daljet monitorohen me lexues të targave dhe kamera sigurie.

Fitore ligjore kundër “Google”

Që e marrin seriozisht privatësinë e tyre, banorët e treguan që në vitin 2008. Atëherë, këshilli i qytetit të North Oaks kërcënoi me padi kompaninë “Google” pasi zbuluan se lagja e tyre ishte e dukshme në shërbimin “Street View”. Përmes një letre, ata kërcënuan me padi për shkelje të pronës nëse fotografitë nuk hiqeshin menjëherë.

“Google” në fund u dorëzua. Përfaqësuesja e kompanisë, Elaine Filadelfo, deklaroi atëherë se ky ishte ndoshta rasti i parë i tillë në SHBA. “Është shumë e rrallë që një qytet i tërë të kërkojë të hiqet,” tha ajo.

Misioni i hartografimit me dron

Megjithatë, Parr vuri re një zbrazëti ligjore: qyteti nuk ka kontroll mbi hapësirën ajrore. Pasi kaloi provimin dhe u bë operator i licencuar i dronëve, me miratimin e Administratës Federale të Aviacionit (FAA), ai mund të fluturonte ligjërisht mbi lagje. Siç u shpreh ai vetë: “North Oaks nuk e ka ndaluar hartografimin, por vetëm qasjen e paautorizuar.”

Për të shmangur kamerat e sigurie, ai publikoi një njoftim në “Craigslist” ku kërkonte që dikush nga banorët ta linte të hynte brenda. Një grua nën pseudonimin Maggie Smith pranoi t’i mundësonte hyrjen në një nga parqet për 10 dollarë. Nga atje, Parr nisi dronin dhe filmoi të gjitha rrugët dhe shtëpitë, duke përmbushur misionin e tij për të “përfunduar Google Maps një herë e mirë”, siç bëri shaka në përshkrimin e videos.

Reagime të ndara dhe mbrojtja e interesit publik

Siç pritej, banorët nuk ishin të kënaqur. Kryetari i shoqatës së pronarëve të shtëpive në North Oaks, Andrew Hawkins, thuhet se po shqyrton hapa ligjorë kundër Parr. Nga ana tjetër, komentues të shumtë në YouTube e mbështetën sipërmarrjen e tij.

“Shembull i përsosur i Efektit Streisand,” shkroi një përdorues, duke aluduar në fenomenin ku përpjekjet për të fshehur informacionin çojnë në përhapjen e tij edhe më të madhe.

Parr shpjegoi se misioni i tij kishte një qëllim më të gjerë. “Hartat janë infrastrukturë publike. Të kesh një hartë të paplotë nuk i shërben askujt,” deklaroi ai. Ai shtoi se e vlerëson privatësinë, por gjithashtu sheh vlerë në mundësinë për të eksploruar botën pa u larguar nga shtëpia. “Është magjepsëse që mund të shohim skena rrugësh pothuajse kudo në vend dhe në botë,” tha ai.

Interesant është fakti se “Google” i hoqi pamjet e Parr një javë pasi ai i publikoi, por ai u përgjigj duke publikuar pamje të reja.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT