Dorëhiqet kryetari i Forumit Rinor të ASH në Shkup, Hamza Nuhiu: “Dinjiteti im nuk është në shitje”

Hamza Nuhiu, i cili mbante funksione të rëndësishme në strukturat rinore të Aleancës për Shqiptarët, ka njoftuar largimin e tij nga subjekti politik përmes një reagimi publik, informon PressOnline.al

 

Nuhiu, i njohur si ish-kryetar i FRASH Çair, nënkryetar i FRASH Zona 1 dhe shef shtabi në këtë zonë, deklaroi se vendimi i tij vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish me mënyrën e funksionimit të partisë.

Në reagimin e tij, ai thekson se për vite me radhë ka kontribuar maksimalisht për atë që e konsideronte një kauzë për ndryshim, duke punuar në terren dhe duke fituar besimin e qytetarëve. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është vlerësuar, përkundrazi është penalizuar.

“U premtua meritokraci, por u praktikua nepotizëm. U fol për vlera, por u vendosën interesa të ngushta”, shprehet Nuhiu, duke shtuar se janë favorizuar persona të papërfshirë më parë në strukturat e partisë.

Ai thekson se është anashkaluar jo për mungesë aftësie, por sepse, siç thotë, nuk ka qenë i manipulueshëm. Sipas tij, heshtja e deritanishme vetëm sa ka forcuar praktikat e gabuara brenda subjektit.

Nuhiu nënvizon se largimi i tij nuk është dorëzim, por një refuzim për t’u bërë pjesë e një sistemi që, sipas tij, funksionon mbi baza të padrejta.

“Largohem jo si i humbur, por si dikush që refuzon një lojë të padrejtë. Dinjiteti im nuk është në shitje dhe e ardhmja ime nuk varet nga ata që kanë frikë nga njerëzit që punojnë”, përfundon ai.

Ai lë të kuptohet se angazhimi i tij politik do të vazhdojë, duke e cilësuar këtë hap si “vetëm fillimin”.

https://www.facebook.com/share/p/1DjcAqhBUc/

TË NDRYSHME

TË FUNDIT