Opsioni i ri i Inteligjencës Artificiale (AI) në Google Photos mundëson përmirësimin e shpejtë të fotografive me vetëm një prekje, dhe mund të përdoret plotësisht falas nga të gjithë përdoruesit e Android-it.
Google Photos ka marrë një vegël të re AI për redaktimin e fotove të quajtur AI Enhance, e cila tashmë është e disponueshme globalisht për të gjithë përdoruesit e Android. Funksioni i ri gjendet në skedën (tab) Auto, pranë veglave ekzistuese Enhance dhe Dynamic, dhe është konceptuar si një zgjidhje e shpejtë për përmirësimin automatik të fotografive me një klikim të vetëm.
Në fakt, AI Enhance për vetëm pak sekonda përmirëson ndriçimin, rikthen detajet në pjesët e ndritshme dhe të errëta të fotos dhe thekson lehtë ngjyrat. Megjithatë, edhe pse Google ndoshta do të thoshte të kundërtën, kjo vegël nuk sjell ndonjë përparim të ndjeshëm në krahasim me zgjidhjet ekzistuese AI të konkurrencës. Sidoqoftë, bëhet fjalë për një vegël të thjeshtë dhe mjaft tërheqëse për shumicën e përdoruesve që duan korrigjime të shpejta pa pasur nevojë të “humbasin” kohë me cilësimet manuale.


