Sektori i automobilave në Gjermani po përballet me një goditje më të rëndë nga sa ishte parashikuar. Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave (VDA) paralajmëroi sot se deri në vitin 2035 do të humbasin rreth 225,000 vende pune, një shifër kjo që tejkalon me 35,000 parashikimet e mëparshme. Sipas kryetares së VDA-së, Hildegard Müller, vetëm në periudhën 2019-2025 janë shuar tashmë rreth 100,000 pozicione pune.
Goditjen më të madhe pritet ta pësojnë furnizuesit e pjesëve, pasi kalimi nga motorët me djegie të brendshme drejt lëvizshmërisë elektrike kërkon më pak fuqi punëtore në prodhim. Müller theksoi se situata po përkeqësohet ndjeshëm për shkak të rënies së konkurrueshmërisë së Gjermanisë dhe Evropës në tregun global.
Si shkaqe kryesore për këtë krizë identifikohen taksat e larta, kostoja e shtrenjtë e energjisë, pagat e larta të fuqisë punëtore dhe burokratizimi i tepërt. Këta faktorë, sipas industrisë gjermane, po vështirësojnë tranzicionin teknologjik dhe po rrezikojnë stabilitetin e një prej shtyllave kryesore të ekonomisë më të madhe evropiane.


