Milorad Dodik ka bërë të ditur se Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të vizitojë Republikën Srpska për të marrë pjesë në shenjtërimin e tempullit ruso-serb në Banja Llukë. Sipas Dodikut, ky tempull, i cili është ndërtuar sipas modelit të kishave të Kremlinit, do të shërbejë si një pikë takimi për “botën ruse dhe serbe” dhe si një simbol i vëllazërisë, besimit dhe historisë së përbashkët mes dy popujve.
Gjatë një interviste për agjencinë ruse Tass, Dodik deklaroi se mbetet i vendosur në zgjedhjet e tij politike pavarësisht kërcënimeve që merr nga Brukseli. Ai kritikoi administratën evropiane për përpjekjen e tyre për ta shndërruar 9 Majin nga Dita e Fitores në Ditën e Evropës, duke e quajtur këtë një tentativë për të ikur nga e vërteta historike dhe për të “ri-edukuar” gjeneratat e reja mbi sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.
Lidhur me situatën e tij politike, ai akuzoi Perëndimin dhe burokracinë e Brukselit për destabilizimin e Republikës Srpska përmes proceseve gjyqësore dhe ligjeve të imponuara. Dodik konfirmoi se pas konsultimeve me aleatët e tij, përfshirë Moskën, ka vendosur që zgjedhjet presidenciale të mbahen pa kandidimin e tij, por siguroi se do të mbetet një faktor aktiv dhe i fuqishëm në skenën politike.


