SHKUP – Provimi i jurisprudencës së shpejti pritet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë për juristët shqiptarë në vend. Këtë paralajmërim e kanë bërë të ditur krerët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, të cilët përmes kanaleve të tyre zyrtare kanë njoftuar se shumë shpejt do të ketë lajme konkrete dhe pozitive në këtë drejtim.
“Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira…”, ka deklaruar Kasami, sinkron ky që është mbështetur dhe shpërndarë edhe nga Mexhiti, duke e vendosur këtë çështje në dritën e prioriteteve të angazhimit të tyre politik në ekzekutiv.
Paralajmërimet vijnë në prag të protestave të studentëve
Ky zhvillim dhe intensifikim i deklaratave nga krerët e VLEN-it vjen në një moment mjaft specifik dhe me tensione të shtuara në sferën akademike. Paralajmërimi për zgjidhjen e këtij problemi vjen pikërisht një ditë përpara se studentët shqiptarë të fakulteteve juridike të dalin në protesta të paralajmëruara, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj barrierave gjuhësore dhe burokratike në sistemin e drejtësisë.
Mundësimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare ka qenë një nga kërkesat kryesore të juristëve të rinj shqiptarë për vite me radhë, duke u konsideruar si një e drejtë ligjore e stërzgjatur dhe një pengesë serioze për integrimin e tyre të barabartë në sistemin gjyqësor të vendit.


