Në një përpjekje strategjike për të shkëputur tregun evropian nga dominimi i Pekinit, Bashkimi Evropian po planifikon të detyrojë kompanitë e bllokut që t’i sigurojnë lëndët e para dhe komponentët kyç nga të paktën tre furnizues të ndryshëm. Siç raporton prestigjiozja britanike Financial Times, ky hap synon të rrisë sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe të minimizojë rreziqet gjeopolitike.
Sipas projekt-rregullave të reja, masat do të shtrihen mbi sektorët më strategjikë, duke përfshirë:
-
Industrinë kimike
-
Prodhimin e makinerive industriale
-
Sektorin e teknologjisë së lartë (gjysmëpërçuesit dhe automjetet elektrike)
Rregullorja parashikon që asnjë furnizues i vetëm të mos mbizotërojë më shumë se 30% deri në 40% të vëllimit total të dërgesave për një kompani evropiane. Pjesa e mbetur e mallrave do të duhet të ndahet detyrimisht midis të paktën tre bashkëpunëtorëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës.
Lufta kundër “agresionit tregtar” dhe aleanca me SHBA-në
Kjo paketë masash vjen si përgjigje ndaj monopolit pothuajse absolut që Kina gëzon në përpunimin e mineraleve kritike, të cilat janë jetike jo vetëm për tranzicionin e gjelbër, por edhe për industrinë e mbrojtjes dhe armatimet e avancuara.
Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maroš Šefčovič, ka paralajmëruar se Brukseli po konsideron edhe vendosjen e tarifave ndëshkuese doganore ndaj kimikateve dhe makinerive kineze. Ky hap synon të reduktojë deficitin e madh tregtar dhe të mbrojë bizneset evropiane nga ajo që ai e cilësoi si “agresion tregtar” i Pekinit.
Në të njëjtën kohë, për të blinduar këtë strategji, Šefčovič dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për sigurimin e përbashkët të mineraleve kritike, duke dëshmuar një koordinim të ngushtë transatlantik.
Hapat e rradhës: Propozimet pritet të shqyrtohen zyrtarisht në mbledhjen e Komisionit Evropian më 29 maj, ndërsa miratimi përfundimtar nga liderët e BE-së pritet të ndodhë përpara fundit të qershorit të këtij viti.


