SUKSES I JASHTËZAKONSHËM / Dibra në arenën ndërkombëtare: Nxënësi i klasës së pestë Junus Aziri kualifikohet në garat STEM në Romë

DIBËR, 18 Maj 2026 – Një tjetër sukses i madh ka vënë në qendër të vëmendjes talentin e ri dibran në fushën e shkencës dhe edukimit inovativ. Junus Aziri, nxënës i klasës së pestë në Shkollën Fillore Komunale “Said Najdeni” në Dibër, ka arritur të kualifikohet zyrtarisht për të përfaqësuar vendin në garat prestigjoze ndërkombëtare STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).

 

Garat finale ndërkombëtare për këtë vit është planifikuar të mbahen në Romë të Italisë, nga data 1 deri më 8 korrik 2026.

Rrugëtimi i Junusit drejt këtij suksesi madhor kaloi nëpër disa faza sfiduese. Fillimisht, ai shkëlqeu në garat rajonale të Maqedonisë së Veriut, ku u rendit i pari në tabelë me gjithsej 86 pikë. Më pas, në fazën e garave paraprake eliminatore, ai arriti të rrëmbejë medaljen e bronztë, rezultat ky që i siguroi edhe biletën zyrtare për në kryeqytetin italian.

Me rastin e këtij arritjeje, Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ka zhvilluar një takim zyrtar me mentorët e nxënësit, ku ka shprehur urimet e tij dhe mbështetjen e plotë institucionale për këtë rrugëtim.

Kryetari Mela vuri në dukje se suksesi i Junusit është dëshmi e qartë e potencialit të madh që zotëron rinia dibrane, duke ritheksuar se investimi te dija, edukimi cilësor dhe zhvillimi i gjeneratave të reja mbetet një prioritet absolut për të siguruar një të ardhme të ndritur për qytetin.

Ky sukses ka sjellë krenari të ligjshme jo vetëm për shkollën “Said Najdeni” dhe familjen e talentit të ri, por për të gjithë komunitetin dibran, i cili tashmë sytë i ka nga Roma me shpresën për rezultate të tjera kulminante.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT