Skuadrat e KF Sileksit dhe KF Shkëndijës nesër në orën 20:00 në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” do të përballen në finalen e Kupës së Maqedonisë, ndeshje kjo që do të ndajë trofeun e fundit të këtij sezoni dhe një vend në skenën evropiane.
Për Sileksin kjo është një mundësi për ta kurorëzuar me trofe këtë sezon të suksesshëm, pasi kampionatin e mbylli në pozitën e katërt. Trajneri Aleksandar Vasoski pret një duel të vështirë dhe të paparashikueshëm kundër përbërjes me përvojë të Shkëndijës.
“Për ne kjo është ndeshja e sezonit, sepse siguron daljen në Evropë. Shkëndija është një kundërshtar cilësor dhe me përvojë, ndoshta në avantazh të vogël për shkak të ndeshjeve evropiane që ka zhvilluar. Megjithatë, ne do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë të gjitha dobësitë që do të na shfaqen. Cili do të ishte avantazhi i Sileksit? Sipas meje, fakti që Shkëndija ka zhvilluar 54 ndeshje këtë sezon. Uroj një finale të mirë dhe le të fitojë më i miri”, deklaroi Vasoski.
Në taborin e Shkëndijës mbretëron optimizëm para finales, ndërsa trajneri Jeton Beqiri potoncon se skuadra e tij do të hyjë maksimalisht e motivuar në luftën për trofeun.
“Mendoj se Shkëndija pas 8 vitesh është në finalen e Kupës dhe natyrisht që do të hyjmë maksimalisht në këtë ndeshje, si një skuadër që dëshiron të luajë hapur. Kemi respekt për Sileksin, të cilët në dy vitet e fundit po luajnë shkëlqyeshëm. Vitin e kaluar deri në xhiron e fundit luftuan me ne për titullin. Detajet do të vendosin. Ndoshta kemi një avantazh të vogël nga përvoja jonë evropiane, por në një ndeshje të vetme kjo nuk do të thotë asgjë, sepse gjithmonë në këto sfida vendos një moment i vetëm. Ne do të japim gjithçka nga vetja për të fituar nesër. Para së gjithash dua një ndeshje të ndershme dhe të ketë referim korrekt, e kush të jetë më fatlum, le të gëzohet në fund”, tha Beqiri.
Kapiteni i Shkëndijës, Arbin Zejnullai, theksoi se klubi gjithmonë ka ambiciet më të larta.

“Shkëndija gjithmonë para fillimit të sezonit luan për tituj në vend dhe për një paraqitje të mirë në Evropë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe nëse japim maksimumin, mendoj se në fund do të arrijmë te trofeu”, deklaroi Zejnullai.
Darko Angjeleski, kapiteni i Sileksit, thotë se do të shohim një finale të shkëlqyer dhe lideri i kratovasve beson në cilësitë e skuadrës.
“Kjo është ndeshja më e rëndësishme për ne këtë sezon dhe jemi të gatshëm të japim maksimumin për ta fituar trofeun. E dimë se na pret një kundërshtar i vështirë, por besojmë në cilësitë tona dhe në frymën e grupit. Shpresoj në një finale të mirë, lojë korrekte dhe gëzim për tifozët tanë në fund”, deklaroi kapiteni i Sileksit, Darko Angjeleski.
Shkëndija në ndeshjen e nesërme do të jetë pa sulmuesin dhe golashënuesin më të mirë, Besart Ibraimi, i cili për shkak të një lëndimi nuk do të paraqitet në finale dhe për të ky sezon ka përfunduar.


