PRISHTINË – Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka dalë në mbrojtje të nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, pas incidentit të javës së kaluar me kryetarin e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress, Berisha ka deklaruar se reagimet e ashpra ndaj ish-gjeneralit të UÇK-së vijnë si pasojë e gjuhës fyese dhe etiketimeve të rënda politike, duke iu referuar shprehjes “Sami Serbia” të përdorur nga zyrtari i Vetëvendosjes.
Berisha paralajmëroi se kjo lloj gjuhe e përdorur në skenën politike po krijon tensione të rrezikshme që mund të prodhojnë pasoja serioze. Ai theksoi se asnjë ish-luftëtar nuk mund të tolerojë akuza të tilla që cenojnë kontributin e tyre për vendin.
“Kjo çështja në Skenderaj, ‘Sami Serbia’… Se arsyetoj dhunën kurrë. Veçse ndoshta nesër më del mua dikush edhe më thotë ‘Bekë Serbia’. Tani unë aty nuk e fali. Nuk kam çare, se ty po të pështet për muri njeriu kur po të thotë ‘Serbia’. Unë i kam defekte plot, i kam gabime për çdo ditë, përmendmi ato dhe debatojmë. Mirëpo, nëse kemi dalë me dhënë jetën për këtë vend, kush është ai që guxon me më thënë mua ashtu?”, u shpreh Berisha.
Në fund, politikani i AAK-së kritikoi ashpër degradimin e diskursit publik në emër të lirisë së fjalës, duke bërë thirrje për fushate të dinjitetshme dhe shmangie të fyerjeve që prekin dinjitetin kombëtar të akterëve politikë.


