Revolucion te Besiktas, largohet Kristjan Asllani: Mesfushori i Kombëtares rikthehet në Seria A

STANBOLL – Kristjan Asllani ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij në futbollin turk me fanellën e Besiktasit. Sfida e zhvilluar më 15 maj ndaj Rizesporit ishte e fundit për mesfushorin shqiptar, pasi drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë vendosur të mos e shfrytëzojnë të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të tij.

 

Largimi i Asllanit nuk është i vetmi, pasi te Besiktasi ka nisur një “eksod” dhe revolucion i vërtetë në skuadër. Së bashku me shqiptarin, nga ekipi janë larguar edhe emra si Devis Vasquez, El Bilal Toure dhe Jota Silva, duke bërë që klubi të pësojë ndryshime rrënjësore për sezonin e ri.

Përgjatë periudhës së tij në Turqi, 24-vjeçari kuqezi u aktivizua në gjithsej 17 ndeshje, ku arriti të shënojë dy gola dhe të dhurojë dy asistë për shokët e skuadrës.

E ardhmja e lidhur me Interin: Çfarë pritet të ndodhë?

Kartoni i mesfushorit të Kombëtares Shqiptare zotërohet ende nga zikaltrit e Interit, me të cilët ka një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028. Megjithatë, situata e tij në Milano mbetet e ndërlikuar, pasi tekniku Cristian Chivu nuk e përfshiu në planet e tij taktike, duke i hapur rrugë huazimeve të njëpasnjëshme.

Me rikthimin e tij në fillim të merkatos në Seria A, gjasat janë që rrugëtimi i Asllanit të jetë sërish larg Milanos. Drejtuesit e Interit pritet të ulin pretendimet financiare për kartonin e tij, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të huazohet sërish në një tjetër klub italian, ku mund të ketë më shumë minuta në dispozicion për të treguar vlerat e tij.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT