Tetova dhe Gjilani kanë ndërtuar një urë të re bashkëpunimi në sferën e kulturës dhe arsimit. Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin” nga Tetova dhe Biblioteka e Qytetit “Fan S. Noli” nga Gjilani kanë nënshkruar një marrëveshje zyrtare bashkëpunimi, duke hedhur kështu themelet e një partneriteti afatgjatë në shërbim të librit, dijes dhe lexuesve.
Kjo marrëveshje ka për qëllim realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në rrafshin bibliotekar, kulturor dhe shkencor. Ndër pikat kryesore të këtij partneriteti janë shkëmbimi i materialeve dhe përvojave profesionale, promovimi i ndërsjellë i letërsisë dhe autorëve, si dhe avancimi i projekteve digjitale në të ardhmen.
Angazhim për promovimin e vlerave të përbashkëta
Ky hap dëshmon vullnetin e dy institucioneve për të forcuar lidhjet kulturore në rajon dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për bibliotekarinë.
Marrëveshja zyrtare u nënshkrua në Gjilan nga drejtori i IN Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë, z. Binas Pajaziti, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli” – Gjilan, z. Qazim Azizi.


