Kurti prezanton para investitorëve turq projektet strategjike në infrastrukturë, miniera dhe mbrojtje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, ka zhvilluar një mëngjes pune me Bordin Drejtues të Odës Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) dhe Ambasadorin e Türkiye-s, Tunç Angılı. Gjatë takimit u diskutua për strategjitë zhvillimore të Qeverisë, angazhimin e sektorit privat dhe përmirësimin e ambientit të biznesit. Kurti vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe theksoi se kontributi i Turqisë në njohjen dhe zhvillimin e Kosovës nuk do të harrohet kurrë.

 

Në fokus të bisedimeve ishin projektet e ardhshme strategjike dhe sektorët prioritarë për investime, ku kryeministri veçoi infrastrukturën hekurudhore, minierat dhe industrinë e mbrojtjes si fusha me potencial të madh bashkëpunimi. Gjithashtu, u diskutua për zhvillimin e parqeve industriale, teknoparqeve, investimet në energji gjeotermale, si dhe për mundësitë e mëdha që sjell organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, ku komuniteti i biznesit turk shprehu gatishmëri të plotë për mbështetje infrastrukturore dhe teknike.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit turq theksuan se e shohin Kosovën si një partner strategjik afatgjatë që mund të shndërrohet në një qendër prodhimi me vlerë të lartë të shtuar. Për të jetësuar këto synime, Ambasadori Angılı njoftoi se po planifikohet përditësimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për sektorin e shërbimeve, si dhe organizimi i një Forumi Ekonomik Kosovë–Türkiye në Prishtinë. Takimi, në të cilin morën pjesë krerët e kompanive më të mëdha turke në vend, u përmbyll me dhurimin e librit “Nutuk” të Ataturkut për kryeministrin Kurti dhe me zotime për rritjen e investimeve të ndërsjella.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT