TIRANË — Një kthesë e papritur ka ndodhur në betejën ligjore për menaxhimin e Aeroportit të Vlorës. Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Valon Ademi dhe kompanisë së tij, duke i hapur zyrtarisht rrugën rikthimit në projekt të kompanisë së Behgjet Pacollit.
Përmes këtij vendimi të marrë ditën e sotme, Gjykata e Lartë ka zhvleftësuar vendimet e mëparshme të Shkallës së Parë dhe të Apelit në Tiranë, duke rrëzuar masën e sigurimit të padisë që ishte kërkuar nga shoqëritë “Vlora International Airport” dhe “ZA Group”.
Gjykata e Lartë përmbys Apelin që përjashtonte Pacollin
Më herët, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi vendimin që i jepte Valon Ademit të drejtën ekskluzive për administrimin e Aeroportit të Vlorës, duke bërë që kompania e Pacollit të përjashtohej tërësisht nga vendimmarrja e projektit.
Ky ngatërresë e ashpër ligjore kishte prodhuar tensione të mëdha edhe në terren. Gjatë ditëve të fundit, në kantierin e punimeve të aeroportit u raportuan përplasje dhe incidente mes punonjësve të kompanisë së Pacollit dhe përfaqësuesve të kompanisë së Ademit.
Dispozitivi zyrtar i vendimit:
“Ndryshimin e vendimit nr. 17959 Akti, datë 23.12.2025 të Gjykatës së Shkallës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe vendimit nr. 185 (30-2026-1569), datë 19.02.2026 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhe rrëzimin e kërkesës së paditësve ‘Vlora International Airport’ SHPK dhe ‘ZA Group’ për marrjen e masës së sigurimit të padisë.”
Me këtë vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë, rrëzohen pengesat juridike për kompaninë e Behgjet Pacollit, duke kthyer ekuilibrat e aksionarëve në një prej investimeve më strategjike të infrastrukturës ajrore në Shqipëri.


