TETOVË, 3 qershor – Shkolla e futbollit “GoalFit Academy” ka organizuar një mbledhje të rëndësishme me prindërit e futbollistëve të rinj, ku u analizua ecuria e gjashtëmujorit të parë të aktivitetit, funksionimi i përgjithshëm, si dhe planet strategjike për procesin e mëtutjeshëm të garave dhe të ardhmen e akademisë.
Nga udhëheqësia e akademisë kjo mbledhje u vlerësua si mjaft produktive, ndërsa u veçua pjesëmarrja masive e prindërve. Mbështetja dhe besimi i tyre i vazhdueshëm u cilësuan si shtyllat kryesore në rritjen dhe zhvillimin e suksesshëm të kësaj vatre sportive.
Mirënjohje për suksesin historik të profesor Berat Imerit
Një moment i veçantë i këtij takimi ishte edhe suksesi i jashtëzakonshëm në futbollin vendor i një prej figurave kyçe të akademisë. Drejtuesit dhe të pranishmit uruan publikisht profesorin Berat Imeri, i cili së fundmi shënoi një arritje historike me klubin e KF Shkëndija e Haraçinës, duke siguruar inkuadrimin e tyre në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Në shenjë respekti, mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tij të çmuar dhe këtë arritje të madhe profesionale, “GoalFit Academy” i dhuroi profesor Imerit një fanellë simbolike të akademisë.
Nga akademia u shprehën se ky sukses i profesorit shërben si një motiv shtesë edhe për gjeneratat e reja që stërviten nën ombrellën e “GoalFit Academy”, duke i uruar atij sa më shumë suksese dhe ngritje të mëtutjeshme në karrierën e tij sportive.


