Studentja e ciklit të dytë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, Florenta Jonuzi është shpërblyer me çmimin e dytë në konkursin për punimet më të mira shkencore-hulumtuese nga fusha e tregut të kapitalit për vitin 2026, të organizuar nga Komisioni për Letra me Vlerë.
Florenta Jonuzi u vlerësua për punimin e saj me titull: “Dinamika e luhatjes dhe përcaktuesit makroekonomikë të kthimeve të tregut të aksioneve”, në të cilin analizohet ndikimi i faktorëve makroekonomikë në lëvizjen e kthimeve dhe nivelin e paqëndrueshmërisë në tregun e aksioneve.
Sipas vlerësimit të komisionit, hulumtimi ofron njohuri të rëndësishme për kuptimin e sjelljes së tregjeve financiare dhe trendeve investuese, duke dhënë kontribut të vlefshëm në fushën e analizës financiare dhe të tregut të kapitalit.
Me rastin e ndarjes së çmimeve u mbajt një takim me autorët e shpërblyer, ku morën pjesë kryetarja e Komisionit për Letra me Vlerë, Mr. Bujare Abazi, dhe kryetarja e Bordit për Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Punimeve, Prof. Dr. Merale Fetahi – Vehapi.
Për arritjen e saj, Florenta Jonuzi u shpërblye me një çmim në para me vlerë prej 50.000 denarësh neto. Ky sukses është vlerësim i rëndësishëm për punën dhe angazhimin e saj shkencor, duke dëshmuar potencialin e hulumtuesve të rinj për të kontribuuar në zhvillimin e njohurive ekonomike dhe financiare në vend.
Çmimet vjetore për hulumtues të rinj u ndanë për herë të shtatë me radhë në kuadër të nismës së Komisionit për Letra me Vlerë për promovimin e kërkimit shkencor, edukimit financiar dhe përfshirjen e të rinjve në studimin e tregjeve financiare.


