SHKUP – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar strategjinë e financimit të projekteve të mëdha rrugore, duke kaluar nga pagesat direkte buxhetore dhe kreditë e huaja, drejt huamarrjes në tregun e brendshëm bankar. Përmes një vendimi zyrtar, ekzekutivi ka autorizuar Ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Kocoska, për të nënshkuroar garancitë shtetërore për dy kredi të mëdha të sindikuara nga katër banka komerciale vendore (Stopanska Banka, Komercijalna Banka, Halk Banka dhe NLB Banka).
140 milionë euro për Korridoret 8 dhe 10D
Deri më tani, shteti ka shlyer rregullisht nga buxheti rreth 100 milionë euro në vit ndaj konsorciumit amerikano-turk “Bechtel dhe Enka” për akset Tetovë – Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë dhe Prilep – Manastir.
Për të ndjekur dinamikën e punimeve në 30 muajt e ardhshëm, është aprovuar një kredi prej 140 milionë eurosh. Ky financim ka një afat grejs (periudhë mospagimi) prej tre vitesh, ndërsa do të shlyhet përgjatë 12 viteve të ardhshme.
Fondi i ri për autostradën Kërçovë-Ohër: Ndërpritet varësia nga banka kineze
Ndryshimi më i madh vjen për autostradën Kërçovë-Ohër, e cila ka hyrë në vitin e 12-të të punimeve. Pas financimit të gjatë përmes Bankës kineze “Exim”, pjesa e mbetur e projektit do të mbulohet nga i njëjti konsorcium i bankave vendore.
Shuma e siguruar për këtë aks kap vlerën e 176.5 milionë eurove. Kushtet e kësaj kredie janë identike me ato të projektit paraprak: 3 vite afat grejs dhe 12 vite periudhë kthimi.
Me këtë lëvizje, vlera totale e injektuar në infrastrukturën rrugore nga sektori bankar vendas arrin në 316.5 milionë euro, duke synuar përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e akseve strategjike kombëtare.


