SHKUP – Projektligji për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive etnike do të gjendet në lexim të parë në seancën e 104-të plenare të Parlamentit, e cila është caktuar për të mërkurën, më 10 qershor.
Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, përfshirë edhe ata të opozitës, që të tregojnë konstruktivitet dhe në vend të bllokadave të paralajmëruara, të kontribuojnë në krijimin e një zgjidhjeje më cilësore ligjore. Këto komente Gashi i bëri pas prezantimit të raportit për dy vitet e punës së tij në krye të dhomës ligjvënëse.
“Mund të debatojmë, të dorëzojmë amendamente, të propozojmë zgjidhje. Kemi caktuar debat publik, do t’i dëgjojmë ekspertët dhe juristët. Le ta përmirësojmë ligjin, e jo ta bllokojmë, sepse kjo nuk është mënyra e duhur. I ftoj të gjithë deputetët të punojmë së bashku për një ligj më të mirë, e jo për bllokada,” deklaroi Gashi, duke shtuar se opozita gjithsesi ka të drejtë të përdorë të gjitha mjetet legjitime parlamentare.
Kalimi në komisione dhe përplasja për “Badenterin”
Ky ligj vjen në seancë plenare pasi mori dritë jeshile javën e kaluar nga Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive me nëntë vota “për”, ku u mbështet edhe organizimi i një debati publik me ekspertë dhe juristë.
Paraprakisht, projektligji kaloi edhe në Komitetin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive me 11 vota “për” dhe dy “kundër”. Gjatë këtij votimi u shpërfaqën edhe mospajtimet e para me opozitën shqiptare. Deputetët e Frontit Evropian dhe Lidhjes së Shqiptarëve kërkuan që ligji të miratohet me “Badenter të madh” (shumicën e votave të të gjithë deputetëve të komuniteteve joshumicë në Kuvend), mirëpo ky propozim u rrëzua. Ligji u vendos të miratohet me të ashtuquajturin “Badenter i vogël” (shumica e votave të deputetëve joshumicë që janë të pranishëm në sallë).
Çfarë parashikon Ligji i ri?
Qëllimi kryesor i këtij projektligji është krijimi i një kornize të qartë dhe të zbatueshme ligjore për një nga parimet themelore të rendit kushtetues – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet publike.
Përmes mekanizmave të rinj, ligji synon të garantojë:
-
Procedura transparente dhe të drejta gjatë punësimeve në sektorin publik.
-
Qasje të barabartë në avancimin në karrierë.
-
Shmangien e keqpërdorimeve që u bënë në të kaluarën me mekanizmat e përfaqësimit.


