Shkup: Gjendet e përmbysur vetura e pasagjerëve nga Kosova – tre viktima në tragjedinë e autostradës së re

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në segmentin e autostradës së re, ende në ndërtim, ku një automjet me tre persona është gjetur i përmbysur pranë rrethrrotullimit të parë. Ngjarja ka rezultuar fatale për dy femra dhe një mashkull që udhëtonin në veturë.

 

Sipas informacioneve fillestare, mungesa e ndriçimit dhe pamundësia për të vërejtur me kohë rrethrrotullimin e vogël mund të kenë qenë faktorët kryesorë që çuan në daljen e automjetit nga rruga dhe përmbysjen e tij në humnerë. Një qytetar raportoi rastin rreth orës 22:35, duke alarmuar autoritetet.

Në vendngjarje menjëherë intervenuan ekipet policore, Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor, zyrtarë nga Stacioni Policor i Çairit dhe inspektorë nga Sektori për Kërkime. Rreth orës 23:07, mjeku i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjen e tre udhëtarëve. Dy prej viktimave kishin mbërritur më herët në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe ishin nisur drejt Kosovës.

Ky aksident tragjik ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë rrugore në segmentet e reja të autostradës, ku mungesa e ndriçimit dhe sinjalizimit adekuat mund të rezultojë fatale.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT