Portalet sportive në Bosnjë dhe Hercegovinë i kanë kushtuar një hapësirë të gjerë projektit të ri të stadiumit të KF Shkëndijës, duke e cilësuar atë si një nga perlat e ardhshme futbollistike në rajon dhe një investim që Tetova dhe klubi e meritojnë prej kohësh, shkruan KohaNEWS.
Në shkrimet e publikuara së fundmi, mediat boshnjake theksojnë se pas vitesh pritjeje dhe pas fillimit të punimeve rrënuese në vitin 2024, stadiumi i ri po merr formë përmes skicave dhe projektimeve moderne. Ato vënë në dukje se objekti i ri do të plotësojë të gjitha standardet evropiane për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, duke sjellë tribuna bashkëkohore, infrastrukturë të përmirësuar dhe një kapacitet prej rreth 12.000 ulësesh.
Po ashtu, në artikuj theksohet se ky projekt, vlera e të cilit parashikohet rreth 10 milionë euro, nuk përbën vetëm një investim të rëndësishëm sportiv, por një simbol të zhvillimit të qytetit dhe një vatër të re të entuziazmit për tifozët e shumtë kuqezinj, të cilët presin me padurim rikthimin e ndeshjeve të mëdha në shtëpinë e tyre të re, përcjell KohaNEWS.
/KohaNEWS


