Zhdukja e trotineteve elektrikë në Tetovë, Kasami: Janë dëmtuar dhe operatori i ka dërguar për servisim

TETOVË – Ende pa u bërë një vit nga lëshimi i tyre në përdorim, 100 trotinetët elektrikë që qytetarët e Tetovës mund t’i merrnin me qira, janë larguar plotësisht nga pikat e tyre të qëndrimit. Kjo “zhdukje” e papritur ka ngritur pikëpyetje te qytetarët nëse ky projekt dështoi para kohe.

 

I pyetur rreth kësaj çështie, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka sqaruar se mjetet nuk janë larguar përgjithmonë, por ndodhen për riparim të detyrueshëm, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre janë dëmtuar nga përdorimi.

“Do të kthehen shumë shpejt. Janë mjete komunikacioni që shfrytëzohen në kushte atmosferike. Operatori që ka marrë të drejtën për vendosjen në qarkullim të atyre ka bërë servisimin dhe riparimin e gjithë atyre sepse, fatkeqësisht, një pjesë e madhe e tyre janë dëmtuar. Unë besoj që shumë shpejt do të rikthehen në qarkullim”, deklaroi Kasami.

Projekti i trotineteve elektrikë u mirëprit si një alternativë ekologjike për të lehtësuar kaosin në komunikacionin e Tetovës. Megjithatë, vandalizmi dhe moskujdesi gjatë shfrytëzimit kanë detyruar operatorin privat që t’i tërheqë përkohësisht të gjitha njësitë nga terreni deri në sanimin e plotë të dëmeve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT