A mendoni se dikush po kërkon emrin tuaj në internet? Ja çfarë mund të zbuloni rreth atyre që ju bëjnë „Google“

Shumë njerëz pyesin veten nëse ka ndonjë mënyrë për të zbuluar se kush e ka futur emrin e tyre në motorin e kërkimit „Google“. Përgjigjja e shkurtër është – jo.

 

„Google“ nuk e zbulon identitetin e përdoruesve që kërkojnë një emër apo term të caktuar, kështu që nuk ekziston asnjë vegël (asistent) që mund t’ju tregojë se kush konkretisht ju ka kërkuar në internet.

Megjithatë, ka mënyra për të ndjekur se ku shfaqet emri juaj në rrjet, sa i dukshëm është dhe nëse tërheq vëmendjen e përdoruesve të tjerë. Ja tre vegla që mund t’ju ndihmojnë të kontrolloni më mirë gjurmën tuaj dixhitale.

„Google Alerts“: Njoftim sa herë që emri juaj shfaqet në internet

Një nga veglat më të thjeshta dhe plotësisht falas është „Google Alerts“.

Për ta përdorur, duhet të kyçeni në llogarinë tuaj në „Google“ dhe të vendosni emrin dhe mbiemrin tuaj midis thonjëzave. Për shembull: „Filan Fisteku“. Më pas, „Google“ do t’ju dërgojë njoftime sa herë që gjen një përmendje të re publike të atij emri në faqet e internetit që ai indeksan.

Kjo vegël nuk tregon se kush ju ka kërkuar, por se ku ka shfaqur emri juaj në internet. Kjo mund të jetë e dobishme për të monitoruar njoftimet në media, regjistrat publikë, blogjet, forumet apo ueb-faqet e tjera ku përmendet emri juaj.

„LinkedIn“ zbulon se kush e ka parë profilin tuaj

Nëse përdorni „LinkedIn“, ky rrjet ofron një funksion të quajtur „Kush e ka parë profilin tuaj“.

Në varësi të cilësimeve të privatësisë së përdoruesve të tjerë dhe llojit të llogarisë që përdorni, ju mund të shihni një pjesë të informacionit për njerëzit që kanë vizituar profilin tuaj.

Kjo mund të jetë mjaft e dobishme nëse jeni duke kërkuar punë, duke ndërtuar një rrjet profesional kontaktesh ose dëshironi të dini nëse po ju ndjekin punëdhënësit, klientët apo partnerët e mundshëm të biznesit.

E rëndësishme: „LinkedIn“ nuk tregon se kush e ka kërkuar emrin tuaj në „Google“, por vetëm se kush e ka hapur profilin tuaj brenda këtij rrjeti social.

„Google Search Console“ për pronarët e ueb-faqeve

Nëse keni një ueb-faqe personale, portofolio apo blog, „Google Search Console“ mund të ofrojë informacione shtesë se si përdoruesit arrijnë te përmbajtja juaj.

Kjo vegël falas tregon se përmes cilave terma dhe fjalë kyçe (keywords) njerëzit i gjejnë faqet tuaja në motorin e kërkimit „Google“. Në këtë mënyrë, ju mund të shihni nëse përdoruesit po kërkojnë emrin tuaj, emrin e brendit tuaj ose shprehje të tjera që lidhen me ju.

Sidoqoftë, as kjo vegël nuk e zbulon identitetin e vizitorëve, por ofron vetëm të dhëna statistikore të përmbledhura rreth kërkimeve dhe vizitave.

A mund të shihet vërtet se kush ju bën „Google“?

Pavarësisht reklamave të shumta që qarkullojnë në internet, nuk ka asnjë shërbim të sigurt që mund të zbulojë se kush e ka kërkuar emrin tuaj në „Google“.

Ajo që mund të monitoroni janë përmendjet publike të emrit tuaj, vizitat në profilet e rrjeteve të caktuara dhe mënyra se si përdoruesit arrijnë te përmbajtja juaj.

Prandaj, ekspertët këshillojnë që të monitoroni rregullisht praninë tuaj në internet, në mënyrë që të vëreni në kohë informacionet e pasakta, përmendjet e padëshiruara ose problemet e mundshme me reputacionin tuaj. Kontrolli i identitetit dixhital sot është më i rëndësishëm se kurrë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT