Motorët me naftë (dizell) sot në Evropë pothuajse janë bërë „të padëshirueshëm“ dhe shpeshherë flitet për ta si një relikt i së kaluarës. Megjithatë, ishin pikërisht këta motorë që për dekada me radhë gëzuan popullaritet të madh për shkak të prakticitetit dhe efikasitetit të tyre.
Së fundmi, një gjerman ka vendosur të kujtojë ekonomizimin e jashtëzakonshëm të motorëve më të vjetër dizell, duke tentuar të kalojë 2.400 kilometra me vetëm një rezervuar të mbushur plot në një Volkswagen Passat B5 1.9 TDI të vitit 1998.
Qëllimi i tij ishte të thyente rekordin e tij personal të vitit të kaluar, kur me një rezervuar kishte kaluar 1.913 kilometra. Atëkohë synonte të arrinte shifrën prej 2.000 kilometrash, por nuk ia doli, kështu që këtë herë vendosi të shkonte edhe më tej.
Modifikimet e makinës për të arritur kursimin maksimal
Udhëtimi u planifikua nga Hildesheim në Gjermaninë qendrore deri në vendin Juoksengi në Suedi, afër Rrethit Arktik, një distancë prej rreth 2.359 kilometrash.
Për të arritur këtë rreze të gjatë lëvizjeje, atij i duhej ta ulte konsumin në rreth 3.0 litra për 100 kilometra. Prandaj, ai e „lehtësoi“ makinën maksimalisht:
-
Hoqi mbajtëset e çatisë (goptat) dhe të gjitha gjërat e panevojshme nga kabina.
-
Ndërroi filtrin e karburantit dhe instaloi drita LED për të pasur konsum më të ulët të energjisë elektrike.
-
Hoqi rripin e aksesorëve (rripin PK), duke çaktivizuar kështu kondicionerin dhe sistemin e servo-drejtimit (shufren e timonit).
Përveç kësaj, ai përdori aditivë për karburant, vaj motori me viskozitet të ulët (0W-30), goma „eko“ me rezistencë më të ulët rrotullimi, kapakë aerodinamikë për disqet, si dhe i fryu gomat në madje 4.0 bar për të reduktuar maksimalisht fërkimin me rrugën.
Strategjia e vozitjes dhe rezultatet mbresëlënëse
Fillimisht, rezervuari me kapacitet prej 62 litrash nxinte rreth 53 litra, por me disa „truke“ dhe mbushje të ngadalta, ai arriti të fuste gjithsej rreth 67 litra karburant.
Vozitja u planifikua me shumë kujdes, me një shpejtësi prej rreth 80 kilometra në orë, duke vozitur shpesh pas kamionëve për të shfrytëzuar fushën aerodinamike dhe për të zvogëluar rezistencën e ajrit.
Rezultatet ishin mbresëlënëse:
-
Pas 345 kilometrash, gjilpëra e matësit të karburantit mezi lëvizi.
-
Pas 1.000 kilometrash, ajo ishte ende mbi gjysmën e rezervuarit.
-
Në një moment, ai madje fjeti brenda në makinë për ta vazhduar udhëtimin pa ndërprerje të gjata.
Në fund, ai arriti të kalonte 2.398 kilometra – vetëm dy kilometra më pak se qëllimi fillestar prej 2.400 kilometrash – me një konsum mesatar nën 3.0 litra për 100 kilometra.
Si qëndron ky rekord me të tjerët?
Me këtë arritje, ai kaloi rekordin e mëparshëm të shoferëve britanikë prej 2.463 kilometrash, të vendosur në vitin 2010 me një „Passat B6“ midis Anglisë dhe Francës (duke pasur parasysh specifikat e rrugës), por nuk arriti ta thyente rekordin e gazetarëve kroatë të AMS-së. Ata në vitin 2011, me një „Passat B7 1.6 TDI“, kaluan 2.545 kilometra me një herë.
Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se gjermani në këtë rast po ngiste një „Passat“ pothuajse 30 vjet të vjetër.


