Mbrëmë, në një tubim madhështor në Zhelinë, kandidati për kryetar të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, shprehu mirënjohje për qytetarët që mbushën sheshin me energji, besim dhe dashuri për vendlindjen.
Sejdiu theksoi se mesazhi ishte i qartë: banorët e Zhelinës besojnë te puna, zhvillimi dhe e ardhmja që po ndërtohet bashkërisht.
“Dhe thirrja jonë është NJË ZËRI. Ta transformojmë komunën tonë nga rurale në urbane, nga fshat në qytet, nga ëndërr në realitet,” tha Sejdiu.
Ai nënvizoi se gjatë mandateve të kaluara janë realizuar projekte të shumta: rrugë, bulevarde, ujësjellës, shkolla, ndriçim, kanalizim, ndërsa tani hyhet në fazën e madhe të transformimit urban, me projekte që synojnë ta bëjnë Zhelinën një nga komunat më të zhvilluara dhe më të bukura në rajon deri në vitin 2030.
“Zëri ynë është një, qëllimi ynë është i përbashkët. Zhelina ecën përpara, me punë, jo me fjalë,” shtoi ai.
Tubimi shënon një moment të rëndësishëm për konsolidimin e mbështetjes qytetare dhe vendosmërinë për të çuar përpara vizionin e zhvillimit.