Përmes çiklizmit që lidhi tre qytete dhe dy shtete, të qeshurave të fëmijëve, muzikës, bizneseve të vogla, punëtorive kreative, performuesve të rrugës dhe akrobatëve, Struga këtë fundjavë ishte nikoqire e aktivitetit përmbyllës të programit për Ditën e Europës 2026. Ngjarja përmbylli serinë e aktiviteteve që gjatë muajit maj dhe në fillim të qershorit u mbajtën në disa qytete të vendit, nën moton „Europa jonë. Më të fortë së bashku”, me mesazhin që qytetarët ta ndiejnë Europën në qytetin e tyre.
Përmes turit ndërkufitar me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit, çiklistë, institucione, partnerë dhe mysafirë e kaluan rutën Strugë, Pogradec, Ohër, Strugë, duke përcjellë mesazh për mobilitet të qëndrueshëm, stil aktiv jetese, bashkëpunim ndërkufitar dhe hapësira publike të hapura që u përkasin qytetarëve.
Ngjarja u organizua nga Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, në bashkëpunim me Europe House dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, së bashku me Komunën e Strugës, Bashkinë e Pogradecit dhe Komunën e Ohrit.
Gjatë ditës, paralelisht me turin me biçikleta, Parku i Poezisë në Strugë u shndërrua në një nga vendet më të gjalla të qytetit. Në turin me biçikleta morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të udhëhequr nga Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, ambasadori i Sllovenisë, Gregor Presker, dhe ekipi i tij nga Ambasada e Sllovenisë, Mathias Humenberger, zëvendësambasador i Austrisë, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Sllovakisë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian. Gjatë aktiviteteve në park, qytetarët patën mundësi të shijojnë bazarin e bizneseve të vogla, programin për fëmijë, punëtoritë kreative, lojërat shoqërore, muzikën dhe DJ setin, performuesit e rrugës dhe akrobatët. Programi u krijua si një ftesë e hapur për të gjitha gjeneratat, për familjet, fëmijët, të rinjtë, krijuesit lokalë dhe vizitorët që dëshironin të kalonin një ditë në frymën e shoqërimit, gëzimit dhe vlerave europiane.
Zëvendësshefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, Ben Nupnau, theksoi: „Ky tur me biçikleta mbart frymën e Europës: të hapur, gjithëpërfshirëse dhe gjithmonë në lëvizje përpara. Ai na kujton se jemi pjesë e të njëjtit udhëtim dhe se kur lëvizim e pedalojmë së bashku, mund të arrijmë gjëra të jashtëzakonshme. Duke zgjedhur dy rrota në vend të katër, tregojmë se zgjedhjet e vogla dhe të qëndrueshme mund të sjellin ndryshime të mëdha për shëndetin tonë, planetin tonë dhe komunitetet tona. Nga Struga, përmes Pogradecit dhe Ohrit, e përsëri në Strugë, kjo nuk është vetëm një tur rreth liqenit, por një rreth miqësie, bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët ndaj Europës sonë, ku jemi më të fortë së bashku.”
Në realizimin e programit në Strugë, rol të rëndësishëm pati Komuna e Strugës, me mbështetje të fuqishme në krijimin e kësaj ngjarjeje të përbashkët për qytetin. Në aktivitete u përfshinë edhe partnerët Shoqata AKVA, „Youth for Struga“, INKA, PVH e Kryqit të Kuq Strugë dhe Duqan, ndërsa për atmosferën muzikore u kujdes „Rootboy Selector“.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, theksoi se Struga është shembull i gjallë i vlerave europiane në jetën e përditshme. „Struga është dëshmi e gjallë se këto vlera nuk janë vetëm teori. Struga është qytet ku kulturat, gjuhët dhe traditat e ndryshme nuk na ndajnë, por na bëjnë më të fortë. Qytet ku bashkëjetesa është mënyrë jetese, jo vetëm slogan. Struganët e duan Europën, sepse Europa jemi vetë ne, në mënyrën se si e respektojmë njëri-tjetrin, në mënyrën se si bashkëpunojmë dhe e ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë”, deklaroi kryetari Qyra.
Si pjesë e festimit u hap edhe ekspozita „Euro Velo: Rrugët më të mira europiane për udhëtime me biçikleta”, kushtuar rrjetit europian të rrugëve për biçikleta dhe promovimit të mobilitetit të qëndrueshëm dhe turizmit aktiv. Fotografitë e ekspozuara janë vepër e fotografit dhe çiklistit Simon Thread dhe janë marrë nga projekti CyclingThread https://www.cyclingthread.com/CyclingThread, platformë e përkushtuar ndaj udhëtimeve me biçikleta dhe rrugëve nëpër Europë dhe botë.
Me ngjarjen përmbyllëse në Strugë, Europe House e përmbylli programin për Ditën e Europës 2026, i cili gjatë muajit maj dhe në fillim të qershorit solli aktivitete në disa qytete. Pjesë e programit ishin edhe #TeamEurope, më saktësisht ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut.
Në Shkup, Parku i Qytetit u shndërrua në një hapësirë të vërtetë europiane përmes ngjarjes „Shijoje Europën në Parkun e Qytetit”, me eko-biznese, panair lulesh, „slow food”, treg lagjeje, „food corner”, lojëra në natyrë nga vendet anëtare të BE-së dhe program muzikor gjatë gjithë ditës. Në Veles, përmes aktivitetit „Rritemi së bashku”, vullnetarë, studentë, qytetarë dhe ambasadorë së bashku mbollën drunj në zonën e djegur rreth liqenit Mladost. Në Manastir, pllatoja para Europe House u mbush me muzikë përmes koncertit të hapur të Funk Shui, si pjesë e programit „Shijoje Europën me muzikë”.
Historia europiane vazhdoi edhe në Tetovë, ku ngjarja „Shijoje Europën me libër” solli panair libri, panel-diskutime, shkëmbim librash, muzikë live dhe program për fëmijë. Në Shtip, ngjarja rinore „Zbulo mundësitë” ofroi panair për studime, mobilitet dhe program muzikor, me fokus te të rinjtë dhe mundësitë e tyre të ardhshme.
Të gjitha këto aktivitete ishin pjesë e programit të përbashkët të Europe House, të udhëhequr nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, me mbështetjen e #TeamEurope. Përmes kulturës, sportit, ekologjisë, librave, muzikës, pjesëmarrjes rinore dhe iniciativave lokale, Dita e Europës 2026 u shënua si muaj i ngjarjeve të hapura, bashkëpunimit lokal dhe vlerave të përbashkëta europiane.
Nga Shkupi, Velesi, Manastiri, Tetova, Shtipi, Ohri, Koçani dhe Gjevgjelia, e deri te ngjarja përmbyllëse në Strugë, mesazhi ishte i njëjtë: Europa nuk festohet vetëm në një ditë. Ajo ndërtohet çdo ditë, përmes njerëzve, qyteteve, ideve dhe aktiviteteve të përbashkëta që na bëjnë më të fortë së bashku.


