Kandidati për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami, inspektoi sot punimet për mega projektin e depërtimit të bulevardit VS Bato drejt Porojit dhe Xhepçishtit. Projekti përfshin ndërtimin e një bulevardi 1.5 km të gjatë, me gjerësi 7 metra, trotuar 2 metra, ndriçim publik dhe të gjitha standardet bashkëkohore.
Kasami nënvizoi se në mandatin e ardhshëm, përveç përfundimit të këtij aksi, do të ndërtohet edhe një aks tjetër i bulevardit drejt Qarkores së Treboshit.
Ai gjithashtu prezantoi edhe katër mega projekte të tjera për zgjatjen e bulevardeve të Tetovës:
-
Përfundimi i Bulevardit Ilinden nga Posta deri te rrethrrotullimi te Stadiumi i Qytetit, për të lehtësuar qasjen drejt qendrës dhe lagjeve Drenovec dhe Centiskë.
-
Përfundimi i Bulevardit Bllagoja Toska, nga Stadiumi i Vjetër i Qytetit deri te rruga rajonale Tetovë-Jazhincë dhe nga Shkolla Tekstile deri te rrethrrotullimi me Bulevardin Ilinden.
-
Vazhdimi i Bulevardit Boris Kidriç, nga kryqëzimi me Bulevardin Bllagoja Toska deri te Stacioni i Autobusëve.
-
Vazhdimi i Bulevardit Ilinden, nga rrethrrotullimi i UEJL-së deri te mbikalimi i rrugës për Gostivar.
“Tetova e rrugicave me gropa i përket së kaluarës. Tetova vazhdon fuqishëm përpara!” tha Kasami, duke shprehur përkushtimin për një infrastrukturë moderne dhe të standardizuar.