Bashkimi Evropian planifikon ndërtimin e një rrjeti kontinental hekurudhash të shpejta, që do t’i lidhë të gjitha kryeqytetet dhe qendrat e mëdha urbane, duke krijuar projektin më të madh infrastrukturor në historinë e tij.
Projekti, i quajtur “Rrjeti Evropian i Hekurudhave të Shpejta” dhe i promovuar nga shoqata CER (Komuniteti i Ndërmarrjeve Evropiane të Hekurudhave dhe Infrastrukturës), pritet të ketë vlerën 546 miliardë euro dhe së shpejti do të marrë miratimin zyrtar nga Komisioni Evropian.
Plani parashikon ndërtimin dhe modernizimin e mbi 49.400 kilometrave linja hekurudhore, ku trenat do të arrijnë shpejtësi prej 250 deri në 350 kilometra në orë. Rrjeti i ri do të përfshijë të gjitha kryeqytetet evropiane si dhe zonat urbane me mbi 250.000 banorë, përfshirë qytete si Selanikun, Lubjanën, Krakovin dhe Marsejën.
Drejtori ekzekutiv i CER-it, Alberto Mazzola, theksoi se qëllimi është që hekurudha të bëhet forma kryesore e transportit në Evropë. Sipas vlerësimeve, në të ardhmen 50% e udhëtimeve në distanca të gjata do të realizohen me trena të shpejtë, ndërsa 20% përmes linjave standarde.
Ky projekt është pjesë e Planit të Gjelbër Evropian, që synon të reduktojë emetimet e gazeve serrë nga transporti me 90% deri në vitin 2050.
Udhëtimet do të jenë shumë më të shkurtra – nga Athina në Stamboll për vetëm katër orë, dhe nga Madriti në Milano për më pak se gjashtë orë – duke i bërë trenat e shpejtë konkurrues me transportin ajror në linjat më të shkurtra, me gjurmë shumë më të vogël ekologjike.