Elisa Spiropali, e cila në profilin e saj zyrtar renditet si ish-Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka kërkuar një transformim të thellë brenda strukturave të Partisë Socialiste. Sipas saj, ky ndryshim është i domosdoshëm për t’i dhënë vendit një vizion të ri, më meritokratik dhe më evropian.
Në një mesazh ku bën thirrje për një “Marrëveshje të Re” për Shqipërinë, ajo thekson se partia në pushtet duhet të ndërmarrë hapa konkretë për vetëpastrim dhe demokratizim të brendshëm.
“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe,” deklaroi ajo.
Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja nënvizoi se ky proces reflektimi është jetik, duke argumentuar se për të përmirësuar Shqipërinë, është e nevojshme që fillimisht të lartësohen vlerat brenda vetë organizatës politike. Sipas saj, “Marrëveshja e Re” duhet të jetë një nismë e thellë dhe e vërtetë, që synon të largojë praktikat e vjetra që pengojnë ecjen e vendit drejt integrimit evropian.


