VLEN dënon fuqishëm deklaratën skandaloze të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila gjatë një interviste për televizionin serb “Kurir” deklaroi se, po të kishte pasur lirinë e veprimit të Sllobodan Millosheviqit, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.
Kjo është deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme që rikthen ideologjinë raciste dhe fyen kujtimin e mijëra shqiptarëve të vrarë, të zhdukur dhe të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Ideologjitë dhe fantazitë e tilla kriminale i përkasin një kohe që nuk do të kthehet kurrë më.
Fakti që një gjuhë e tillë vjen nga një ministre e Qeverisë së Serbisë dhe një funksionare e lartë e partisë së Sllobodan Millosheviqit kërkon distancim të menjëhershëm nga Qeveria e Serbisë dhe reagim të qartë nga Bashkimi Evropian. Arsyetimi i spastrimit etnik është në kundërshtim të plotë me vlerat mbi të cilat ndërtohet Evropa dhe nuk mund të tolerohet, relativizohet apo të kalojë në heshtje.
VLEN qëndron fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës historike, dinjitetit të viktimave, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.


