Ndotja e ujit në Gostivar: Prokuroria nis hetimet ndaj tre zyrtarëve të “Komunualec”

Themelimi i një hetimi zyrtar ka nisur nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar kundër tre personave për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës”, të shkaktuara përmes ndotjes së ujit të pijshëm, përcjell KohaNEWS.

 

Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, të dyshuarit në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Komunualec” – Gostivar, udhëheqësit teknik të Sektorit për Punë Teknike dhe udhëheqësit të Njësisë për Ujësjellës, Kanalizim dhe Punë Ndërtimore në ndërmarrje, dyshohet se me veprimet e tyre e kanë bërë të papërdorshëm ujin e pijshëm në dhomën e derdhjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe një pjesë të fshatrave përreth.

Hetimet tregojnë se më 25 qershor, të dyshuarit kanë dhënë urdhër për vendosjen e tri pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit. Gjatë inspektimit në terren më 16 i korrik, është konstatuar se dy prej pompave ishin ende në funksion, duke pompuar ujë të ndotur me baktere koliforme nga kanali i hapur në sistemin e mbyllur të furnizimit me ujë.

Analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik kanë konfirmuar praninë e lartë të baktereve koliforme në ujërat sipërfaqësore (2419,6 cfu/100 ml kundrejt lejueshmes prej 50 cfu/100 ml), si dhe prani të baktereve në burimet e kaptuara ku vlera duhet të jetë zero, duke e bërë ujin plotësisht të pasigurt për konsum nga qytetarët.

/KohaNEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT