OHËR – Rajoni i Ohrit i ka shpëtuar edhe për momentin rrezikut të përfshirjes në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Gjatë mbledhjes së Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po mbahet në Korenë e Jugut, UNESCO i ka dhënë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë një shans të ri për të zbatuar rekomandimet e mbetura për ruajtjen e vlerave unike natyrore dhe kulturore të këtij rajoni, transmeton KohaNews.
Vendimi për të mos e kaluar rajonin në listën e pasurive në rrezik u mbështet nga 16 prej 21 vendeve anëtare të Komitetit. Megjithatë, autoritetet e të dyja vendeve fqinje do të kenë një afat prej 5 vitesh për të adresuar vërejtjet e kahershme të organizatës ndërkombëtare.
Sfidat kryesore: Urbanizimi dhe ndërtimet pa leje
Ndër pikat kyçe ku UNESCO ka këmbëngulur ndër vite mbeten ndalimi i urbanizimit masiv dhe të pakontrolluar, si dhe zgjidhja përfundimtare e problemit me ndërtimet e paligjshme që rrezikojnë ekosistemin e liqenit dhe zonës përreth. Autoritetet vendore dhe qendrore do të duhet të tregojnë rezultate konkrete brenda periudhës pesëvjeçare për të ruajtur statusin ndërkombëtar të mbrojtjes.
/ KOHANEWS


