Struga Trim Lum merr pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të Asociacionit të Klubeve Evropiane – ECA në Athinë

Dy përfaqësuesit e skuadrës, Arbtrim Qyra dhe Miftar Shaqiri – Tali, patën mundësinë të takohen me figura të shquara të futbollit…

Struga Trim Lum e përfaqësuar nga presidenti i saj, Arbtrim Qyra dhe Sekretari i Përgjithshëm, Miftar Shaqiri – Tali, ishin pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit të Klubeve Evropiane (ECA), që nga data 8 deri më datë 10 tetor u mbajt në Athinë.

 

 

Në hapje të asamblesë, të gjithë përfaqësuesit e klubeve u mirëpritën nga Kryetari i ECA-s, Nasser Al-Khelaifi, i cili vuri theksin në përparësitë dhe sfidat që i presin klubet evropiane.

Në rend të ditës ishin çështje kyçe si përditësimi i garave të klubeve, raporti i administratës së ECA-s, zgjedhjet për bordin e ECA-s, miratimi i llogarive për vitin 2023/24, financimi i periudhës 2024-2030, buxheti për vitin 2024/25 dhe emërimi i auditorëve për këtë periudhë.

Gjithashtu në këtë Asamble, Asociacioni i Klubeve Evropiane (ECA) dhe UEFA vazhduan bashkëpunimin e tyre deri në vitin 2033. Në ceremoninë e nënshkrimit, kryetari i ECA-s, Nasser Al-Khelaïfi dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, rikonfirmuan bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka mbështetur zhvillimin, stabilitetin dhe suksesin e futbollit evropian të klubeve për më shumë se 15 vjet.

Në këtë Asamble, përveç Al-Khelaïfi dhe Çeferin, të pranishëm ishin edhe Presidenti i Konfederatës Afrikane të Futbollit, Patrice Motsepe, Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, Presidenti i Ligave Evropiane, Pedro Proença, përfaqësues nga Komisioni Evropian, përfaqësues të FIFPRO, shumë legjenda të futbollit, si dhe përfaqësues të ekipeve të ndryshme nga Europa, përfshirë këtu edhe klubet nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

Dy përfaqësuesit e skuadrës tonë, Qyra dhe Shaqiri, patën mundësinë të takohen me figura të shquara të futbollit, si Kryetarin e ECA-s, Nasser Al-Khelaifi, Presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, si dhe ish futbollistët e njohur, si Rui Kosta, Xhorxhio Kielini, Ivan Kordoba, etj.

Struga Trim Lum pjesë e kësaj Shoqate të Klubeve Evropiane (ECA), që numëron plotë 717 klube nga gjithsej 55 vende të Europës, është gati 5 vite, ndërsa bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim për të kontribuar në përfaqësimin e denjë të klubit tonë, por edhe futbollit të Maqedonisë në arenën ndërkombëtare.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights