Gostivari është bërë qyteti më i ri në vend ku qytetarët mund të marrin shërbime ortopedike dhe traumatologjike, falë punës së përkushtuar të profesionistëve të shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një njoftim publik, theksoi se kjo është “një tjetër hap i madh drejt barazisë në qasje ndaj shërbimeve shëndetësore”, pjesë e vizionit për një shëndetësi moderne, efikase dhe të decentralizuar.
“Tani edhe në Gostivar qytetarët marrin kujdes mjekësor cilësor pa qenë të detyruar të udhëtojnë larg vendbanimit të tyre. Ky është rezultat i përkushtimit të mjekëve, infermierëve dhe gjithë ekipeve që çdo ditë punojnë për të shpëtuar jetë,” tha ministri Aliu.
Ai shtoi se ndryshimet në sistemin shëndetësor tashmë po ndihen në çdo qytet dhe çdo sallë operacioni, duke u reflektuar në çdo buzëqeshje të një pacienti të shëruar. Ministri theksoi se reformat po sjellin rezultate konkrete, duke bërë shëndetësinë më të afërt, më të barabartë dhe më cilësore për të gjithë qytetarët.

