Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, realizuan sot vizita dhe takime me qytetarët e Tetovës në kuadër të aktiviteteve të terrenit. Dyshja zhvilloi takime derë më derë, me qëllim të prezantimit të projekteve dhe kërkesës për mbështetje nga qytetarët.
Kasami theksoi se Tetova ka hyrë në një fazë transformimi, ku fokusi kryesor është modernizimi i infrastrukturës, rritja e pastërtisë, mirëqenia sociale dhe zhvillimi ekonomik i qytetit.
“Ne po punojmë për një Tetovë që ecë përpara, me infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira për të gjithë qytetarët. Çdo ditë e më shumë po shohim se qytetarët e përqafojnë këtë vizion,” u shpreh Kasami.
Ai shtoi se data 2 nëntor paraqet një moment të rëndësishëm për të konfirmuar mbështetjen ndaj procesit të zhvillimit të nisur në qytet.
Mexhiti, nga ana e tij, vlerësoi procesin e transformimit që po ndodh në Tetovë, duke e cilësuar atë si shembull për qeverisjen lokale dhe zhvillimin urban.
Aktivitetet e terrenit pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me fokus në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe prezantimin e projekteve në realizim.


 
                                    